Nisin fluturimet esenciale në Rinas, Xhafaj: Krizë e sajuar politikisht për të futur vendin në terr!

8 Prill 2021, 19:49 | Përditesimi i fundit: 2021-04-08 20:13:48

Zv.ministri i Infrastrukturës, Etjen Xhafaj tha se greva e kontrollorëve të trafikut ajror është tërësisht politike, aspak normale dhe që ka cenuar rëndë jo vetëm sigurinë kombëtare por edhe imazhin e vendit duke e kthyer atë në një vend qesharak dhe aspak të besueshëm në sytë e partnerëve, pasi vetëm këtu ndodhin melodrama të tilla. Në një intervistë për Report Tv, Xhafaj tha se nga nesër gjithçka në aeroportin e Rinasit do të kthehet në normalitet dhe do të nisin edhe fluturimet e aviacionit civil, ndërsa sot nisën fluturimet esenciale.

Për Xhafajn e gjithë ky inskenim që shkaktoi një problematikë ekstreme është me prapavijë politike dhe se përgjegjësit do të përballen me ligjin.

"Ka pasur një problematikë ekstreme të shkaktuar nga greva e jashtëligjshme e kontrollorëve dhe përben një cenim të sigurisë kombëtare. Do të jemi kthim në normalitet dhe kjo është një krizë e krijuar për qëllime të caktuara politike dhe kjo është jo normale dhe duhet të angazhohen organet e hetimit. Pak para zgjedhjeve vendi është çuar në prag të humnerës për arsye politike. Në vijim do të shfaqim fakte të reja për të treguar se është një krizë e sajuar. Nga nesër në mëngjes nisin fluturimet edhe aviacioni civil. Në lidhje me ekonominë dhe marrëdhëniet me partnerët është bërë  një dëm i madh dhe i përsëritur që është kthyer në një melodramë qesharake për vendin tonë", tha Xhafaj.

Ai madje u bëri thirrje kontrollorëve të trafikut ajror që nuk janë përfshirë në këtë inskenim që të marrin përgjegjësitë që u takojnë në punë dhe të rinisin aktivitetin normal të Kullës të Kontrollit, ndërsa shtoi se aktualisht kulla është vënë në puna nga kontrollorë të huaj, por pa specifikuar kombësinë e tyre.