Nisma Thurje 'shpalos programin': Ndryshime kushtetuese dhe sistem të ri zgjedhor

15 Shkurt 2020, 22:21

Ndryshime të thella demokratike, kushtetuese dhe sistem të ri zgjedhor. Kjo ishte kërkesa e shpalosur në një aktivitet të veçantë të zhvilluar nga Nisma Thurje në Tiranë. Drejtuesit e saj Erion Kristo e Endri Shabani prezantuan propozimet e tyre që në thelb kanë dhënien e mundësisë qytetarëve për të zgjedhur direkt përfaqësuesit e tyre në parlament, si dhe bënë thirrje për bashkim dhe solidaritet. 

Përmes një aktiviteti të veçantë me poezi dhe shpalosje të mendimit kritik, Nisma Thurje prezantoi propozimet e saj që lidhen me ndryshimin e sistemit zgjedhor, ndryshime të thella demokratike e Kushtetuese dhe që në thelb kanë vendosjen e garës në çdo fushë të shoqërisë. Erion Kristo tha se shqiptarët duhet të bëhen bashkë dhe të ngrënë zërin kundër padrejtësive.