'Një mashkull i lodhur nga martesa', Genti Kame flet për rolin te filmi 'Love'

17 Janar 2020, 13:28

Ka qenë një bisedë mjaft interesante ajo e sotmja në studion e “Rreze Dielli” me aktorin Genti Kame, i cili la karrierën kinematografike jashtë, për të dhënë kontributin artistik në vendin e tij.

Pjesë e një sërë projektesh të rëndësishme, Genti ka luajtur rolin kryesor edhe në filmin e fundit “Love”, i cili prej thuajse një muaji është shfaqur në kinema.Ai thotë se në këtë film, trajtohen probleme të vogla, por tejet të rëndësishme që përbëjnë jetën e përditshme.Është një film tepër i vecantë, i shkruar në mënyrë të thjeshtë, që nuk merr pretendime të tregojë probleme të mëdha të shoqërisë shqiptare, por merret me probleme të vogla tejet të rëndësishme që përbëjnë jetën e përditshme. Problemet që ne kemi, dyshimet, mëdyshjet, dilemat, pakënaqësitë që na bëjnë të jemi të gëzuar apo të palumtur. Janë probleme që duhet një sy i mprehtë t’i nxjerrë në pah, këto probleme bëjnë që secili ta gjejë veten aty. Duke qenë i trajtuar thjeshtë, filmat më të mirë janë ato filma që një histori tregohet thjeshtë nga A te ZH, trego historinë tënde. Në këtë film secili del me të vërtëtat e veta. Ne jemi një shoqëri që kemi dilemat tona. Personazhi im, Geri kthehet pas disa vitesh, e ka zënë rutina, problematika me të shoqen, kthehet në vendin e tij pas 10 vjetësh duke menduar që do gjejë të njëjtat gjëra, të njëjtat persona, të njëjtën dashuri. Gjërat kanë ndryshuar, por filmi tregon a ia vlen të ikësh sa herë has një problem apo të përballesh me të.’ thotë në “Rreze Dielli” aktori Genti Kame