Një tjetër 'sukses' i SPAK, me dosje korrupsioni, 16 muaj në shërbim prove se i dha policit 1000 lekë

24 Nëntor 2020, 21:14

Një tjetër dosje penale, nga ato të “zjarrtat” që flet për luftën kundër korrupsionit dhe që hetohen nga prokuroria e posaçme SPAK, ka përfunduar me dënimin e personit përgjegjës.

Rigels Ymeri, është i pandehuri i rradhës së SPAK-ut, që është dënuar me 16 muaj qëndrim në shërbim prove, pasi është gjendur fajtor për akuzën e korruptimit, me 1000 lekë të një punonjësi policie. Ymeri u ndalua në qytetin e Tiranës dhe më pas çështja penale kundër tij, u hetua nga një prokuror i SPAK-ut, për akuzën e “korrupsionit aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Rigels Ymerit, ju komunikua akuza dhe më pas cështja kaloi për gjykim. Fillimisht, Ymeri u dënua me 8 muaj burgim por më pas ky dënim me burg është pezulluar nga gjykata e posaçme, duke e vënë të dënuarin në shërbim prove për një periudhë prej 16 muaj.

Në vendimin e saj gjykata e posaçme shprehet se:”…shuma e parave prej 1 000 lekë, sekuestruar të konfiskohen si mjet i kryerjes së veprës penale dhe kaluar buxhetit të shtetit…”. Ndërsa vijon më tej duke shtuar se:”…urdhërohet Prokuroria e Posaçme “Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” Tiranë, të ekzekutojë këtë vendim…”. Disa ditë më parë, SPAK për të njëjtën shumë financiare dhënë punonjësve të policisë, dënoi Vilson Meminin.