Novoselë, nis asfaltimi i rrugës së fshatit Trevllazër/ Leli: Paralelisht, edhe furnizimi me ujë pijshëm

15 Qershor 2019, 18:24

Ka nisur sot asfaltimi i 1.5 km rrugë në fshatin Trevllazër të Njësisë Administrative Novoselë të Bashkisë Vlorë. Kryebashkiaku Dritan Leli ka qenë për të inspektuar nga afër punimet, nga ku u shpreh se shtrimi i të gjithë rrugës nga aksi nacional deri lart në qendër të fshatit do të jetë i ndarë me dy faza.

Ndërsa paralelisht me rrugën sipas Lelit kanë nisur edhe punimet për furnizimin me ujë të pijshëm për ata familje që vuajnë këtë problematikë.

"Kemi ardhur për të parë zhvillimin e punës për asfaltimin e rrugës së fshatit e cila ishte një nga premtimet që do të mbaronte me buxhetin e këtij viti. Punët janë të ndara që në pikun e sezonit turistik këto punime të jenë të përfunduara. Janë bërë disa restaurime për çështjen e ujit të pijshëm por projekti përfundimtar po  punohet nga ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve në Bashkinë e Vlorës së bashku me donatorët duan të përmirësojnë në mënyrë përfundimtare problemin e ujit ët pijshëm", tha Leli.

Ndërkohë gjatë inspektimit të punimeve kryebashkiaku tha se brenda javës të ardhshme do të përfundohet edhe riparimi i rrjetit elektrik të tensionit të mesëm.

"Gjithashtu është duke u punuar edhe në linjën e ABC për tensionin e mesëm i cili është një nga investimet kryesore që do të bëjmë këtu", theksoi kryetari i Bashkisë së Vlorës.

Rehabilitimi i rrugës vjen menjëherë pas protestës së banorëve të fshatit Trevllazër për rrugën dhe ujin përpara bashkisë së Vlorës.