Nxënësit nga sot rikthehen në klasa, drejtoresha e shkollës 'Edith Durham': Vendimi ishte i duhur

4 Maj 2021, 16:47

Pas propozimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, nxënësit e arsimit parauniversitar janë rikthyer për të zhvilluar mësimin fizikisht në klasa e jo më të kombinuar online. Drejtoresha e shkollës 'Edith Durham', Majlinda Dervishi tregoi për Report Tv se rregullat anti-covid janë të njëjta ashtu si në fillim të vitit shkollor.

Në çdo klasë është dezinfektanti i tavolinave dhe dezinfektanti i duarve për nxënësit apo edhe në hyrje të mësimit, çdo nxënës dezinfektohet, i matet temperatura dhe më pas hyn në ambientet e brendshme të shkollës. Nuk lejohet asnjë njeri i huaj gjatë kohës së mësimit që të hyjë në ambientet e brendshme të shkollës. Ne kemi kombinuar dhe hyrjen dhe daljen e nxënësve në dy drejtime të ndryshme”-u shpreh drejtoresha Majlinda Dervishi.

Drejtoresha thotë se rikthimi në klasa u prit mirë si nga nxënësit ashtu dhe nga mësuesit të cilët në këtë mënyrë e kanë më të lehtë për të kontrolluar aftësitë e tyre.

Kthimi në skenarin e parë ishte shumë mirë për të dyja grupet, edhe për mësueset dhe për nxënësit sepse tashmë kemi mundësi që t'i kontrollojmë fizikisht në shkollë. Jo se mësimi online nuk ka funksionuar, ka funksionuar normalisht por nuk është njësoj sikurse zhvillimi i mësimit në klasa edhe për nxënësit por edhe për mësuesit”-tha Dervishi.