Pamje nga kompleksi 'Goldon'! RENEA kontrolle për gjetjen e trupit të Jan Prengës

28 Janar 2020, 13:44

Një ditë pas arrestimit të të dyshuarve për pengmarrjen dhe më tej vrasjen e Jan Prengës të marrë peng 11 ditë më parë në Kamëz, Policia me forcat speciale RENEA është ende e pranishme në kompleksin "Goldon" në Xhafzotaj të Shijakut. Operacioni vijon për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë krim të rëndë, por më e rëndësishmja, në hetimet që mund të zbulonin vendin ku mund të jetë fshehur trupi i pajetë i 49-vjeçarit Jan Prenga. Nisur nga fakti që RENEA ndodhet pranë kompleksit, ka dyshime të forta se trupi i Prengës të jetë groposur diku pranë resortit. Kamerat e sigurisë, elementi kryesor që çoi në identifikimin e rrëmbyesve, fiksuan momentin teksa Jan Prenga nxirrej nga një makinë dhe u fut nga autorët në ambientet e kompleksit "Goldon". Puna në resort është bllokuar, dhe policia e prokuroria vijojnë punën hetimore. Por kërkimet për trupin e Jan Prengës vijojnë edhe në rrethina pranë kësaj zone. Deri më tani të arrestuarit nuk kanë pranuar akuzat e ngritura ndaj tyre.