PD: Qeveria po ushtron presion ndaj bizneseve për të mbushur arkën e shtetit

11 Tetor 2019, 14:43 | Përditesimi i fundit: 2019-10-11 19:24:23

PD reagon pas vendimit të qeverisë Rama, e cila i kërkon çdo biznesi që të kryejë proçedurat pranë Agjensisë së Shërbimeve Publike të Integruara Adisa dhe jo më në tatime.

Sipas Dorian Telitit, kjo agjenci nuk mund të kryejë këtë rol, pasi nuk ka kapacitet e nevojshme. Për Telitin qeveria me këtë vendim sjell një tjetër barrierë proçeduriale.

PD ka akuzuar qeverinë se po ushtron presion ndaj bizneseve për të mbushur arkën e shtetit, ndërkohë që administrata tatimore ka bllokuar shërbimet për tatimpaguesit duke ja deleguar një kompanije private.

Kjo është deklarata e bërë nga eksperti i ekonomisë në Partinë Demokratike Dorian Teliti.

Qeveria e Edi Ramës ka marrë këto ditë një vendim që godet çdo biznes tatimpagues dhe që përkeqëson më tej klimën e biznesit në Shqipëri.

Në kundërshtim flagrant me ligjin, qeveria ka vendosur që çdo biznes, i vogël apo i madh qofte ai, nuk do të ketë më marrëdhënie direkte me tatimet dhe nuk do të marrë më shërbimet e nevojshme pranë sporteleve të organit tatimor.

 Tatimpaguesit shqiptare do të futen në radhët e gjata të sporteleve të Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), e cila nuk ka as ekspertizën, as kapacitetet për të përballuar kërkesat dhe volumin e punës për të dhënë përgjigje për çdo shqetësim që tatimpaguesit kanë.

 Sipas Ligjit për Proçedurat Tatimore, detyra parësore e organit tatimor është dhënia e shërbimit tek tatimpaguesi, por me vendimin e fundit të qeverisë, nëse bizneset do të kenë nevojë për sqarim apo ndihmë nga tatimet, do ta gjejnë këtë derë të mbyllur, pasi  klima e mirë për biznesin nuk është prioritet për Edi Ramën.

    No videos found.