PD: Rama tendera korruptivë për portet e jahteve në Kepin e Rodonit dhe Sarandë

22 Tetor 2019, 14:30

TIRANË - Partia Demokratike ka denoncuar këtë të martë dy tendera sipas saj korruptive për dhëniën me koncension të dy porteve turistike jahtesh, pranë Kepit të Rodonit dhe në Sarandë.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, drejtori i kabinetit, Dorian Teliti, tha se Roland Ziu, një nga aksionerët e dy kompanive që fituan tenderin për port turistik jahtesh pranë Kepit të Rodonit, si bashkim operatorësh, pa kundërshtarë në garë, është trafikant ndërkombëtar droge.  

Kepin e Rodonit ia ka dhënë për 35 vjet Roland Ziut, i njohur nga mediat si trafikant ndërkombëtar droge. Prej vitesh ky trafikant është lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës. Para pak kohe, Erion Veliaj i dha atij koncesionin e terminalit jugor të transportit. Në këtë koncesion trafikanti i drogës i shndërruar në biznesmen pranë qeverisë, është bashkë me kompaninë R&T, e Renis Tërshanës", tha Teliti.

Ndërkohë, sa i përket tenderit për portin në Sarandë dhënë për 30 vjet me koncension kompanive Kastrati dhe Dulaku, PD thotë se fillimisht ky port i ishte dhënë me qira për 20 vjet kompanisë së biznesmenit Artan Dulaku, dhe nuk dihet sesi qiraja u kthye në koncension mes tij dhe biznesmenit të Kastrati Group, që PD e përmend si oligarkun më të ngushtë të kryeministrit Rama.  

"Koncesioni i Portit të Sarandës i është dhënë për 30 vjet dyshes Kastrati-Dulaku. Kastrati është oligarku më i ngushtë i Edi Ramës, që ka marrë koncesion 400 milionë euro të Rrugës së Kombit, furnizon ekskluzivisht prej 6 vjetësh me karburant qeverinë dhe ka përfituar leje ndërtimi në zonat e gjëlbërta të Tiranës. Porti i Sarandës i ishte dhënë më qira për 20 vjet kompanisë së biznesmenit Artan Dulaku dhe nuk dihet sesi qiraja u kthye në koncesionin Dulaku-Kastrati", tha shefi i kabinetit të PD-së.