Përfundon afati i konsultimit publik për 'fiskalizimin', Denaj: Do minimizohet informaliteti

15 Shtator 2019, 18:24

Sot përfundon afati i konsultimit publik për projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” ose siç është prezantuar “Fiskalizimi”. Data 15 shtator ishte faza e dytë e konsultimeve pas përfundimit të afatit zyrtar. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj dhe drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj, zhvilluan një takim me bizneset në Fier, ku kanë prezantuar ketë projektligj.  Ministrja Denaj tha se synimi është ulja e informalitetit duke mos u bazuar vetëm në inspektime.

"Është një proces më i qëndrueshëm në luftën kundër informalitetit dhe nuk janë inspektimet objektivi ynë afatgjatë për të luftuar informalitetin. Objektivi kryesor është që ne këtë projekt ta kemi dhe si një parakusht për procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Pse? Sepse sisteme të përditësuara me teknologjinë, por jo vetëm, edhe me mendësinë e analizës dhe luftës kundër informalitetit, duhet të jenë në të njëjtën mendësi që është ajo e vendeve europiane”, theksoi Denaj.