Përplasja me armë te ish-Blloku në Tiranë, i plagosur edhe një person i tretë, ndodhet në spital privat

5 Tetor 2018, 08:58 | Përditesimi i fundit: 2018-10-05 10:55:40

TIRANE - Zbardhen detaje të reja nga përplasja e mbrëmshme me armë zjarri mes bandave rivale në zonën e ish-bllokut ku një person mbeti i vdekur, ndërsa tre të tjerë u plagosën. Kamerat e sigurisë zbardhin dinamikën e vrasjes së Fabjol Gaxhës dhe plagosjen e Ervis Martinajt, Laert Hasës dhe një personi të tretë të paidentifikuar, në ambientet e një lokali në zonën e ish-bllokut në kryeqytet.

Gazetari i Report Tv, Driçim Çaka, raporton se në pamje është fiksuar momenti kur dy grupet rivale futen në lokal dhe brenda pak sekondave aty nis përleshja fillimisht fizike dhe më pas edhe me armë zjarri. I pari që hap zjarr është truproja i Ervis Martinajt, Fabjol Gaxha, i cili mbeti viktimë e kësaj ngjarje. 

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se dy grupet janë konfliktuar me grushte me njëri-tjetrin dhe në sherr e sipër Fabjol Gaxha, duke i dalë në mbrojtje Ervis Martinajt qëllon me armë zjarri në drejtim të grupit rival. Kundërpërgjigja rezulton fatale për Gaxhën i cili merr një plumb në kokë, ndërsa Ervis Martinaj dhe Laert Hasa, të cilët kanë qenë në një tavolinë sëbashku mbesin të plagosur. 

Report Tv mëson gjithashtu se nga përplasja e mbrëmshme me armë ka mbetur i plagosur edhe një person i tretë, identiteti i të cilit nuk dihet, ndërsa ndodhet në një spital privat në kryeqytet. Dy të plagosurit e tjetër Ervis Martinaj dhe Laert Hasa prej mbrëmjes së djeshme ndodhen te Spitali i Traumës jashtë rrezikut për jetën. Trauma mbahet i blinduar nga FNSH dhe Forcat RENEA për të shmangur një përplasje të mëtejshme mes grupeve. Përplasja me armë zjarri ndodhi në ambientet e lokalit të biznesmenit Redi Popescu i cili ka mbetur i lënduar nga përleshja mes banda kriminale. 

Për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, policia ka shoqëruar rreth 30 persona për t'i marrë në pyetje. Përplasja mes bandave alarmoi kryeqytetin pasi ndodhi në një prej zonave më të frekuentura të kryeqytetit dhe në një orar fluksi lëvizjesh.