Përplasje me armë në Kavajë, 1 kalimtar i vrarë dhe 7 të tjerë të plagosur

4 Korrik 2019, 13:15

KAVAJE-Një person është vrarë mesditën e sotme dhe 7 të tjerë janë plagosur pas përplasjes me armë zjarri mes dy grupeve.

Nga informacionet paraprake, gazetari i Report Tv, Artur Korriku raporton se në hyrje të qytetit të Kavajës, te stacioni hekurudhor, dy grupe të rinjsh janë përplasur me armë zjarri, ndërsa i vdekur ka mbetur një person, rreth 50-vjeç që nuk kishte lidhje me ngjarjen.

Ai mësohet se ka qenë duke qëndruar në atë zonë, ndërsa e ka kapur breshëria e plumbave. Dy nga 7 personat që mbetën të plagosur nga shkëmbimi i zjarrit mes tyre dhe janë dërguar në spitalin e Durrësit janë pjesë e dy bandave.

Po sipas të dhënave të parë kemi të bëjmë me një konflikt të hershëm mes dy grupeve, njëri prej të cilëve me rrezikshmëri të lartë me disa të skeduar më parë për konflikte dhe ngjarje kriminale.

Policia ka arrestuar dy persona, teksa njëri prej tyre dyshohet se ka qenë njëri nga autorët që ka qëlluar me armë zjarri. Ngjarja ka tronditur qytetin e Kavajës, pasi skena ka qenë e denjë për filma me përplasjen me armë zjarri në mes të ditës.