Pika kufitare me një kontroll, Lleshaj: Pas Kosovës, edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi

18 Prill 2019, 14:40

Një ndër pikat e diskutimit në seancën e sotme parlamentare, është edhe projekt ligji për një pikë të përbashkët kufitare me Kosovën. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, është shprehur se nëpërmjet kësaj marrëveshje synohen lehtësira më të mëdha për  shkëmbimet tregtare, por edhe lëvizjen e qytetarëve. Lleshaj tha se po punohet që të ndiqet e njëjta frymë edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Malit të zi.

"Marrëveshja parashikon që nga 2 kontrolle, të jetë vetëm 1 kontroll. Deri më tani është bërë një punë e madhe në Morinë, si në aspektin e përmirësimit të procedurave, por edhe infrastrukturës edhe falë bashkëpunimit me BE. Po punohet që të ecim me njëjtën frymë edhe me Maqedoninë e Veriut  dhe Malin e Zi duke vendosur standarte të reja me një frymë europiane", tha Lleshaj.