Piktorja me nevoja të veçanta që gjen shërim tek arti

8 Dhjetor 2020, 12:08

Daklea Boja është vajza 20 vjeçare e cila lufton çdo ditë me epilepsinë dhe prej 8 muajsh  është diagnostikuar edhe me kancer gjiri. Mirëpo problemet me të cilat e ka përballur jeta, nuk e kanë ndalur atë, por ajo mundohet çdo ditë që t’ia dalë sëmundjeve dhe të thurë ëndrra për të ardhmen.  Nuk është aspak e lehtë, por duket se Daklea e ka gjetur ‘shërimin’ e sëmundjeve të saj tek arti. Në një intervistë në emisionin ‘’ Rreze Dielli’’ piktorja me aftësi të veçanta foli për ekspozitën që ka hapur së fundm, për të cilën ajo ka filluar të punojë që në moshën 10-vjeçare, kështu që tashmë 20 vjeç ajo ka një koleksion të pasur për t’i ekspozuar dhe për t’u treguar të gjithëve se çfarë fuqie ka pasioni.

‘’ Piktura është ndjenja më e bukur, kur merr dicka në dorë për të pikturuar ndjen brenda vetes një ndjenjë kaq të bukur, që e shpreh me anë të veprave që mund të pikturojë. Në proçes me anë të ngjyrave, me anë të lapsave mund të shprehësh cfarëdolloji mesazhi që mund të japesh, e gjej brenda vetes’’ rrëfeu ajo.

Një nga personat që e ka ndihmuar më shumë atë në rrugëtimin e saj drejt artit ka qenë edhe punonjësja sociale Anjeza Kolami e cila u shpreh se Daklea arrin të gjejë dëshirën dhe pasionin për jetën vetëm nëpërmjet pikturës, të cilën e vlerëson si një mënyrë të veçantë për të komunikuar me botën.

“ Një pjesë e konsiderueshme e punimeve të Dakles vijnë të diktuara nga shkolla dhe pjesa tjetër përcjellin atë mesazhin që lidhet drejtpërdrejt me mesazhin e brendshëm të saj dhe jo më kot portreti i vajzës, portretet nudo flasin shumë dhe janë krijimtari të vet asaj, pra të ndikuara nga bota shpirtërore” tha ajo.

Pikërisht edhe ekspozita e Dakleas ka në thelb të tregojë më tepër për botën e saj të brendshme,  të shprehura vetëm nëpërmjet penelit, ngjyrave dhe artit të saj.