Pirlo e nis me fitore te Juventus, Real ‘mban frenat’ në ndeshjen e parë të La Liga-s

21 Shtator 2020, 11:36

Karriera si trajner e Andrea Pirlos nis me këmbë të mbarë në pankinën e Juventusit. Kampionët në fuqi e nisin sezonin e ri me një fitore të bukur 3-0 ndaj Sampdorias dhe u lëshojnë sfidën rivalëve që në 90 minutat e para. Kur kishin kaluar vetëm 13 minuta lojë ishte blerja e re Kulusevski që kalon bardhezinjtë në avantazh me një gol të bukur. 1 mijë tifozët e pranishëm në Allianz Stadium kishin mundësi që të shihnin edhe dy gola të tjerë në minutat finale nga idhujt e tyre. Mbrojtësi Bonucci e dërgoi rezultatin në 2-0 në minutën e 79-të pas një rrëmuje në zonë dhe më pas Cristiano Ronaldo një minutë nga fundi vulosi gjithçka me një gjuajtje shumë të bukur. Sot bën nisjen sezonale Milani që pret në “San Siro” Bologna-n.

Në La Liga Real Madrid nuk bëri një nisje të sezonit ashtu siç do ta kishte dëshiruar. Kampionët e Spanjës e nisën me silenaciator dhe pa gola duke barazuar me Real Sociedad në transfertë. Djemtë e Zidane patën disa raste shënimi por më të pastra i kishin vendasit dhe portieri Courtois shpëtoi kampionët.Ndërkaq në Angli Liverpool merr fitoren e dytë radhazi pasi mposhti në Londër Chelsean 2-0 me dy gola të senegalezit Sadio Mane në pjesën e dytë dhe kap kuotën e 6 pikëve./