Plagosja në Kavajë, dëshmia e autorit në depresion: Si nisi sherri para 10 vitesh në shkollë, më provokonte me djalin

25 Shtator 2019, 15:18

Zbardhet dëshmia e autorit të plagosjes së ndodhur dje në Kavajë. 31-vjeçari Fitim Baboçi, ka deklaruar para grupit hetimor se mbi 10 vite më parë, gjatë kohës që ka qenë në gjimnaz ka pasur një konflikt me djalit e të plagosurit, Rexhep Tare.Sipas të riut, si dhe familjarë të tij të marrë në pyetje nga policia kanë pretenduar se Tare dhe djali i tij e provokonin 31 vjeçarin gjatë gjithë kohës.

"Mbi 10 vite më parë kam pasur sherr me djalin e Rexhepit. Jemi zënë në gjimnaz. Në atë kohë jetonim edhe në të njëjtin pallat, ishim fqinj. Familja ime është shpërngulur prej andej dhe tani jetojmë përballë me dyqanin e Rexhepit. Gjatë gjithë kohës ata më kanë provokuar, madje edhe në qytet na mbajmë nëpër gojë", ka deklaruar 31 vjeçari.

Ndërkohë, burime pranë policisë sqaruan se prej disa kohësh Fitim Baboçi kurohej nga depresioni.

Nga ana tjetër, policia ka marrë në pyetje edhe 53 vjeçarin Rexhep Taren, i cili ndodhet në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. Tare ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt me autorin dhe familjen e tij.

"Shumë vite më parë djemtë kanë pasur një sherr në shkollë. Kanë gjëra fëmijësh dhe muhabetet ishin mbyllur. Isha duke shkuar në dyqan kur me qëlluan", ka thënë ai. Ngjarja ku mbeti i plagosur me një plumb në trup 53 vjeçari Tare ndodhi mëngjesin e djeshëm në Kavajë, ndërsa autori u ndalua nga dy qytetarë, e më pas iu dorëzua policisë për tu vënë në pranga.

    No videos found.