Dy policë qëllojnë operatorin e Report Tv që po filmonte ndalimin e Alfred Lelës

17 Maj 2020, 13:20 | Përditesimi i fundit: 2020-05-17 19:19:28

TIRANE-E paprecedentë! Dy efektivë policie civilë qëlluan njërin prej operatorëve të Report Tv, Mirsal Hajdarmataj i cili ishte në krye të detyrës duke filmuar momentin e arrestimit dhe tërheqjes me dhunë të gazetarit Alfred Lela. Report Tv publikon fotot e dy policëve që qëlluan operatorin. Ngjarja ndodhi në mes të ditës së sotme në sheshin para Ministrisë së Brendshme te Teatri Kombëtar ku policia ka vendosur kordonin. Në momentin që po arrestohej Alfred Lela, njëri nga efektivët e policisë qëlloi operatorin e Report Tv, ndërsa tjetri me spraj neutralizues për të bllokuar filmimet që po bënte. Sqarojmë se shefi i komisariatit nr. 5 Altin Lilaj nuk ka marrë pjesë në dhunimin e operatorit të Report Tv, por vetëm në shoqërimin e gazetarit Alfred Lela. Në momentin që u godit kameramani i Report Tv kishte dokument identifikues dhe po bënte detyrën, por kjo gjë nuk u ka pëlqyer aspak dy policëve që paguhen me taksat e qytetarëve. Madje jo vetëm kaq, por operatori i Report Tv i është drejtuar policit duke i thënë se "O shefi të lutem, jam televizion, jam i Report-it, po filmoja më shtyu turma". Por polici nuk e ka marrë parasysh, "ata shtyjnë, ju shtyni pas atyre" dëgjohet efektivi. Operatori i Report Tv Mirsal Hajdarmataj shprehet se 'Më goditëm me dhunë se po filmoja kolegun'. Shenjat në trupin e operatorit, në qafë dhe shpinë dhe pamjet janë një tjetër provë se policia vendosi dorë duke goditur operatorin që po bënte vetëm detyrën. Report Tv proteston për këtë ngjarje të papranueshme dhe të paprecedentë. Goditja ndaj medias është e papranueshme nga policia në një vend demokratik.