Pogradec/ Shpërthen bombola e gazit, plagoset pronari, shpëton mrekullisht gruaja!

5 Gusht 2020, 09:05

POGRADEC- Një bombol gazi ka shpërthyer mëngjesin e kësaj të mërkure në qytetin e Pogradecit, ku ka mbetur i plagosur pronari. Burime për Report Tv mëson se ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 1 të këtij qytetit rreth orës 06:30! Shkak për shpërthimin është bërë rrjedhja e gazit.

Si pasojë e shpërthimit ka mbetur i plagosur pronari i banesës dy katëshe, 64-vjeçari i identifikuar me inicialet Y. L., i cili është dërguar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gazetarja e Report Tv, Gladiola Hoxha raporton se në ato momente në banesë ka qenë edhe bashkëshortja, e cila fatmirësisht nuk është lënduar.Megjithatë, si pasojë e flakëve ka pasur dëme të mëdha në banesë, në katin e parë. Sipas zjarrfikësve, ambjenti ka qenë i mbushur me gaz, por që nuk është ndjerë nga pjesëtarët e familjes, e që më pas ka provokuar edhe flakët.Bombolat e gazit të pakontrolluara janë shndërruar në një rrezik serioz për jetën e qytetarëve. Edhe ditën e djeshme në Dibër, 5 pjesëtar të një familjeje mbetën në qiell të hapur su pasojë e shpërthimit të bombolës.