Pogradeci, perla e turizmit/ E zonja e shtëpisë së Teto Ollgës: Kemi ruajtur çdo objekt si në filmin Zonja nga qyteti

24 Gusht 2019, 21:09

POGRADEC- Me një peisazh mahnitës, buzë liqenit, pranë kodrave të gjelbra, të rrethuara nga disa male, gjendet qyteti i Pogradecit. Me kulturën, traditën dhe bukuritë natyrore mirëpret vizitorë në çdo stinë të vitit. Jemi në stinën e verës dhe Pogradeci është plot jetë e gjallëri. Të shumtë janë vizitorët që kanë zgjedhur këtë qytet, por edhe pikat e tij turistike siç janë  Tushemishti dhe Driloni.

Vetëm 3 km larg Pogradecit gjendet fshati turistik i Tushemishtit. Vete fshati, kodrat që e rrethojnë , resurset e shumta tokësore dhe nëntokësore, ujërat e ëmbla e të kthjellët që rrjedhin përgjatë banesave dhe fshatit, e që më pas derdhen në liqen janë vetëm disa nga gjërat të cilat e bëjnë këtë zonë të veçantë.

Tushemishti është bërë i njohur dhe i dashur nga të gjithë edhe me filmat "Zonja nga qyteti" dhe "Shoqja nga fshati". Sot pushuesit kanë fatin për të vizituar shtëpinë ku janë luajtur filmat dhe për të bërë një fotografi me bustin e teto Ollgës.

E zonja e shtëpisë na rrëfen se kjo ndërtesë ruan ende të njëjtat sende dhe  të njëtat orendi si tek filmi dhe se tashmë është kthyer në një nga bujtinat më të dashura për turistët.

"Shtëpia ka qenë e vjehrrit. Shtëpinë e kemi rikonstruktuar pasi ishte amortizuar shumë. Shtëpia brenda është me orenditë që kanë qenë në film. Ne në çdo stinë kemi turistë, pasi çdo stinë ka bukurinë e vet", thotë e zonja e shtëpisë së Teto Ollgës .

Banorët e zonës janë përpjekur të ruajnë origjinalitetin e këtij fshati me rrugica të  ngushta me kalldrëm, banesat unike dhe me ballkone të zbukuruara me lule shumëngjyrëshe.

Ndërsa, mikpritja dhe shërbimi ndaj pushuesve, tashmë është bërë një pjesë e pa ndarë e jetës së tyre. Punimet e dorës dhe produktet ushqimore tradicionale janë vetëm disa nga gjërat që zonjat duararta të këtij fshati ofrojnë për turistët.

"Shesim bizhuteri, punime me grep, punime druri. Bizhutë i kamë bërë vetë, ndërsa punimet e drurit i kemi marrë nga të tjerë. Ne tregtojmë çdo gjë. Fshati i Tushemisht preferohet nga të gjithë turistët", shprehen banorët e zonës.

Vizitorët veçse për të shijuar magjinë e Tushemishtit vijnë edhe për kuzhinën tradicionale që ofron ky fshat.

"E kënaqur. Njerëzit janë shumë të edukuar. Vijmë pothuajse çdo fundjavë. Ndërsa gjatë verës e frekuentojmë më shpesh.

Vij nga Tirana. Vij për herë të parë këtu. Fshati shumë ibukur. Ka rritur nivelin e jetesës së banorëve. Turizmi është rritur shumë, vilat shumë të bukura,  kalldrëmi I pastër, I shtruar shumë bukur. Ollga e ka rritur edhe më shumë  nivelin e jetesës në këtë fshat. Deri tani jam shumë e kënaqur. Mendoj se deri në fund do të ja kalojmë mirë.

"Është hera e dytë që vij në Tushemisht. Shumica vijnë për të bërë foto me teto Olgën, pasi është personazh shumë i dashur për shqiptarët.

Vij nga Athina. Jemi shumë të lumtur. Kënaqemi shumë. Është hera e parë që vij këtu por më ka tërhequr dhe do të vij prapë", thonë pushuesit.

Më i preferuari mbetet Korani simboli i Pogradecit, por duke mos lënë pas edhe Belushkën, i cili i freskët, gatuhet në mënyra nga më të ndryshmet .

"Peshku është shumë i preferuar. Të gjithë klientët preferojnë këtë ushqim. Në tavë ose në zgarë".

Fare pranë Tushemishtit, ndodhet Driloni ose siç e quajnë pogradecaret, Voloreka.Mes gjelberimit dhe liqenit, pushuesit gjejnë jo vetëm argëtimin por dhe qetësinë. Nw parkun kombëtar të Drilonit ata zgjedhin të çlodhen duke shëtitur me varka në ujërat e ëmbla e të pastra kristal e nën shoqërinë e mjelmave ose duke konsumuar ushqimet tradicionale.

"Vendosa të vij me familjen ta shohim. Dëgjuam se është shumë bukur. Na pëlqen dhe mendoj se do të vijmë prapë. Së pari është natyra pastaj edhe dora e njeriut e ka bërë ambientin shumë më të bukur.

Hera e parë që vij këtu. Është një vend i mrekullueshëm. Mua më pëlqen natyra. Ka gjithçka. Relaks dhe e shijova në maksimum.

Natyra, peisazhi, qetësia. Çdo gjë e bukur dhe natyrale.

Është një vend shumë i bukur dhe i mrekullueshëm. Prandaj kemi ardhur. Vijmë shpesh zakonisht.

Më pëlqen shumë. Ndërthurja e lokaleve, varkave me natyrën është diçka shumë e bukur.

Na pëlqen ambienti, atmosfera dhe e njohim si zonë", shprehen pushuesit.

Pogradeci, Tushemishti dhe Driloni për natyrën, kulturën, kulinarinë, mikëpritjen dhe sigurisht liqenin qe i fal gjithë hijeshinë, mbeten ndër atraksionet më të preferuara në Shqipëri nga turistët.