Policia mbledh 104mln lekë për të prekurit nga tërmeti! Veliu: Po mbledhim prova

6 Dhjetor 2019, 16:33 | Përditesimi i fundit: 2019-12-06 18:10:59

TIRANE- Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku ka bërë një bilanc të forcave të rendit pas tërmetit të 26 Nëntorit.

Deklarata e plote

Jam sot këtu për të komunikuar me ju dhe nëpërmjet jush me qytetarët, për angazhimin dhe sakrificën e punonjësve të Policisë së Shtetit, menjëherë pas rënies së tërmetit të datës 26 nëntor, si dhe për solidaritetin me familjarët e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

Menjëherë pas rënies së tërmetit, Policia e Shtetit angazhoi në zonat e prekura mbi 4000 forca policie me detyra konkrete, duke nis nga:
-përfshirja në operacionet e kërkim-shpëtimit; 
- dhënia e ndihmës së parë për njerëzit që kishin nevojë;
- garantimi i rendit dhe sigurisë;
- disiplinimi i qarkullimit duke i dhënë përparësi qarkullimit të ambulancave dhe ekipeve të zjarrfikëseve;
- sigurimi i pronës së qytetarëve dhe ruajtja e objekteve të dëmtuara, për të mos lejuar futjen e banorëve për shkaqe sigurie.

Gjej rastin sot që të falënderoj publikisht forcat special Renea, FNSH-të e Tiranës, Shkodrës e Fierit, Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës ,Tiranë dhe Lezhë për profesionalizmin dhe ndjenjën e lartë të humanizmit duke rrezikuar edhe jetën e tyre, të cilët u përfshinë drejtpërdrejt të parët në operacionet e kërkim-shpëtimit. 

Falë ndërhyrjes së tyre, në bashkëpunim edhe me skuadrat e zjarrfikëseve dhe ushtrinë u shpëtuan 39 jetë njerëzish, që kishin mbetur poshtë rrënojave. Më pas, duke  bashkëpunuar edhe me grupet speciale të vendeve mike, u bë i mundur edhe shpëtimi i disa personave të tjerë.