Premtimi i madh i PD për anulimin e koncesioneve, ekspertët: Thuajse i pamundur, mund të përfundojmë në arbitrazh

20 Prill 2021, 16:07

Nëse fiton zgjedhjet e 25 prillit, PD do anulojë koncesionet që i ka cilësuar si korruptive, prej vitesh. Proces që sipas demokratëve do të realizohet nëpërmjet ligjit antimafia.

Por teksa ky premtim vijon të artikulohet thuajse në çdo dalje mediatike, ekspertët e ekonomisë, e konsiderojnë thuajse të pamundur anulimin e një kontrate koncesionare, dhe sjellin në vëmendje që vendime të tilla kanë përfunduar në arbitrazh.

Unë e shikoj si të vështirë anulimin e kontratave koncesionare me faktin që nga sa është parë deri më tani sa herë që është tentuar për të anuluar koncesionet kemi përfunduar në arbitrazh”, shprehet Klodian Muço ekspert ekonomie.

 

“Jam i mendimit, që është një deklaratë politike, respektoj mendimin e Z. Basha por janë për tu parë sipas rastit, nuk mund të flasim apriori. Praktika ka treguar që sa herë kemi vajtur në arbitrazh kjo është kthyer në një kosto ekonomike për vendin”, pohon kontabilisti Enkelejd Dermyshi.

 

“Vitet e fundit ka një rritje të kontratave koncesionare të miratuara nga Kuvendi dhe për rrjedhojë mendoj se është vështirësish e mundshme që të anulohen. Ajo që ka rëndësi është që njerëzit duhet të mësojmë më shumë, pra duhet të rritet transparenca ndaj këtyre kontratave”, sqaron eksperti për ekonominë Zef Preçi.