Meta sulm Reformës në Drejtësi: S'është e suksesshme!

27 Shkurt 2021, 12:41 | Përditesimi i fundit: 2021-02-27 12:54:17

Presidenti Ilir Meta ka risjellë në vëmendje sërish kthimin e ligjit që zgjat afatin e koncesionit të aeroportit 'Nënë Tereza' me 13 vjet! Ai u ka kërkuar deputetëve që të reflektojnë, edhe pse sipas tij gjasat janë të pakta për sa kohë vendi është në prag të zgjedhjeve.

"Sikundër paralajmërova, dje i përcolla edhe zyrtarisht Kuvendit dekretin për kthimin për rishqyrtim ligjin për aeroportin e Rinasit. Kjo marrëveshje është në dëm të interesit publik, shtetëror e kombëtar. I bjë thirrje cdo deputeti e zyrtari të lartë të reflektojë me shumë qetësi për këtë nismë. Paralajmëroj se për cdo vepër penale të konsumuar nuk do të ketë kurrë amnisti, por vetëm drejtësi. Pas 25 prillit, kuvendi do të kthehet njëherë e përgjithmonë në shinat e së drejtës. Po u jap mundësi deputetëve të reflektojnë.

Shpresoj të lexoni marrëveshjen, para se të ngrini kartonin. Ftoj të gjithë deputetët, edhe të opozitës, të njihen me argumentet e Institucionit të Presidentit në 43 faqe. Është një ftesë për të gjithë deputetët ta lexojnë, të mos thonë ‘nuk dinim gjë’. Por edhe opinioni publik le të njihet me këtë ‘kryevepër’ të kapjes së shtetit. Lidhur me këtë sjellje të Kuvendi që nuk reflekton ndaj kthimeve, unë bëj detyrën time në emër të institucionit që përfaqësoj, shpresoj që të ketë reflektim edhe pse gjasat janë të pakta se jemi prag bërjes së listash, që të përfshihen në lista me ulje koke dhe ngritje të kartonit. Dokumentacioni është shumë i qartë", tha Meta.

Ai ka hedhur sulme edhe për Reformën në drejtësi, sipas së cilit nuk është e suksesshme.

"Nëse do kishim pasur një reformë në drejtës të suksesshme, ministrat nuk do bënin këtë, ashtu si kurse nuk do kishin bërë edhe afera të tjera, megjithatë pas 25 prillit do të ndiqet me interes të plotë. Edhe ato që garojnë në zgjedhjet e ardhshme të lexojnë me vëmendje", tha Meta.