Prindërit denoncojnë se e kanë rrëmbyer/ Vajza: Kam ikur me dëshirën time! E dua djalin

22 Maj 2019, 16:22 | Përditesimi i fundit: 2019-05-22 18:29:38

FIER- Një histori dashurie është bërë shkak për një episod disi të pazakontë brenda familjes Xhelili. Vajza e tyre, 15-vjeçare është larguar ditën e djeshme nga shtëpia, çka ka alarmuar prindërit. Këta të fundit kanë bërë denoncim në Polici se vajza e tyre 15-vjeçare është rrëmbyer nga një djalë, të cilin nuk e njohin.

"Kemi kallëzuar rrëmbimin e vajzës, por nuk po marrim përgjigje. Nuk e njohim personin i cili ka rrëmbyer vajzën. Na kontaktoi Policia e Beratit për vendndodhjen e saj", shprehen prindërit e vajzës për Report Tv.

Megjithatë, vajza ka dhënë versionin e saj në Komisariat, duke deklaruar se është larguar nga shtëpia me dëshirën e saj dhe se djali për të cilin flitet është i dashuri, me të cilin dëshiron që të martohet në Berat.