Procesi i Integrimit Europian, Bushati propozon ndryshime në projekt-rezolutën! Kuvendi nuk ka tagër vendimmarrës

1 Tetor 2019, 15:37

TIRANË- Deputeti Socialist Ditmir Bushati ka propozuar amendime në projekt-rezolutën e Kuvendit për procesin e integrimit në BE. Bushati propozon amendim të titullit të rezolutës nga “Çelja e negociatave” të bëhet “Mbështetje për procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim”, pasi sipas tij, Kuvendi nuk ka tagër vendimmarrës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Ai i kërkon Kuvendit të angazhohet në përfundimin e Reformës Zgjedhore brenda vitit 2019, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR

Bushati kërkon që Kuvendi të nxisë institucionet e tjera përgjegjëse me qëllim ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), brenda vitit 2019.

"Amendim për vlerësimin e punës përgatitore të nisur nga KE me institucionet shqiptare të njohur si procesi“screening”.

Të rikonfirmojmë angazhimet që burojnë nga Rezoluta  e Kuvendit të Shqipërisë datë 24.05.2018

Kuvendi të nxisë institucionet e tjera përgjegjëse me qëllim ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), brenda vitit 2019.

Kuvendi të angazhohet në përfundimin e reformës zgjedhore brenda vitit 2019, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të drejtë, të ndershëm dhe demokratik.

Kuvendi i kërkon Këshillit të Ministrave të konsolidojë ritmin e reformave, veçanërisht me fokus sundimin e së drejtës dhe liritë e të drejtat themelore.

Kuvendi i kërkon Këshillit të Ministrave që të paraqes brenda datës 31 Tetorit 2019 planin e punës, metodologjinë, planifikimin e burimeve njerëzore dhe financiare në mbështetje të procesit të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian. 

Kuvendi i bën thirrje Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian që në përputhje me rekomandimin e Komisionit Evropian të 17.04.2018, rikonfirmuar në 29.05.2019, si dhe Konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Këshilli Evropian, të qershorit 2018, të zyrtarizojnë hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Republikën e Shqipërisë", shkruan Bushati në amendimet e tij.

Amendamentet e propozuara nga Bushati ditën e sotme, janë shqyrtuar edhe në komisionin e Integrimit, me dyer të mbyllura, ku mësohet se shumica prej tyre janë pranuar për tu shqyrtuar në mbledhjen e ardhshme të komisionit. 

    No videos found.