Prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurive me vlerë 5 mln euro të Sokol Markut dhe vëllait të tij

20 Janar 2021, 20:27

Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të Sokol Markut dhe vëllait të tij E. Marku të cilat kapin vlerën e 5 mln eurove.

Mësohet se Sokol Marku ka qenë i dënuar për trafik droge në Itali ndërkohë që është nën hetim dhe për pastrim parash dhe dhënien e parave me fajde.

Ndër pronat që kërkohet për sekuestrim janë 18 automjete luksoze, 10 pasuri të paluajtshme si vila e apartamente si dhe 2 lokale në pronësi të tij.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se dy vëllezërit janë nën hetim për trafik droge dhe në Spanjë ndërsa disa persona të tjerë për dhënien e parave me fajde.

Në vitin 2013, Sokol Marku u arrestua është arrestuar në Shqipëri teksa kthehej nga Italia. Sapo ka shkuar pranë pikës së kontrollit të pasaportave në aeroport, 32-vjeçari është marrë për një verifikim dhe më pas u vendos në dijeni se do arrestohej pasi rezultonte person në kërkim për një dënim të dhënë nga seksioni penal i Gjykatës së Tiranës.

Masa e dënimit të gjykatës për akuzën e shitjes së drogës nëpër kryeqytet ishte 5 vite burg. Marku është kapur në 2012  me një sasi të konsiderueshme kokaine dhe për të është dhënë vendimi prej 5 vitesh burg, ndërsa Marku ishte liruar më herët nga gjykata duke i ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”.