Pronari në burg! Mbyllet restoranti në Porto Palermo, turistët shijojnë plazhin...pa lekë!

18 Gusht 2019, 13:22 | Përditesimi i fundit: 2019-08-18 18:03:05

HIMARE - Restorant "Panorma" në pronësi të Mihal Kokëdhimës që sulmoi një grup turistësh spanjollë, tashmë është mbyllur. I ndërtuar pa leje në një nga zonat më të bukura bregdetare në SHqipëri, në Porto Palermo të Himarës, restoranti tashmë është vizituar jo nga turistët, por nga policia!

Korrespondenti i Report Tv, Limoz Didani, ka qenë sot pranë restorantit i cili shërben edhe si hotel, ku thotë se biznesit i është vënë një karton me shkrim dore me shënimin: MBYLLUR, ndërkohë që i pranishëm atje është vetëm një efektiv i forcave të rendit. Gazetari sqaron se kanë qenë vetë të afërm të Kokëdhimës që kanë mbyllur biznesin si dhe kanë hequr shezlonet për pushuesit, ndërsa efektivi i policisë qëndron në distancë, jashtë biznesit. Zona që Mihal Kokëdhima kishte zaptuar pa leje me shezlonte private tashmë është shfrytëzuar nga turistët të cilët kanë shkuar të bëjnë plazh me çadrat e tyre.