Protesta, 15 të arrestuar, pranga edhe Florenc Hoxhës

17 Shkurt 2019, 09:48 | Përditesimi i fundit: 2019-02-17 14:16:55

15 persona janë arrestuar nga Policia në të gjithë Shqipërinë për dhunën që shpërtheu dje në protestën e opozitës së bashkuar para kryeministrisë.

Policia thotë se pas analizimit të pamjeve filmike dhe provave të mbledhura, u arrestuan 15 protestues për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Mes të arrestuarve është edhe ish-kreu i Policisë Bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha. Ai ndodhet në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, ku u kap edhe nga kamerat të ishte i pranishëm në protestën e opozitës, teksa është filmuar edhe në shkallët e kryeministrisë pas çarjes së kordonit të forcave të policisë.

Gjithashtu, Saimir Rexhepi, i njohur ndryshe si Ujku i Cërrikut, është vënë në pranga nga policia, për dhunën në protestë.

Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë 5 protestues, si dhe janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e 7 të tjerëve. Hetimet do të ndiqen më tej nga Prokuroria e Tiranës.