Protestat/ Procedohet për herë të dytë sekretari i PD-së, 6 të arrestuar, 6 në kërkim

21 Mars 2019, 22:02

TIRANE-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi është proceduar për herë të dytë brenda gjashtë ditëve. Pas protestës së ditës së shtunë në 16 mars, policia e Tiranës ka njoftuar se Bardhi është proceduar edhe për tubimin e sotëm para parlamentit. Materialet janë referuar në prokurori si procedime në gjendje të lirë.

Ndërkohë që në total për protestën e sotme po hetohen 29 persona, 17 janë proceduar në gjendje të lirë, 6 janë arrestuar dhe 6 të tjerë janë shpallur në kërkim. Ata akuzohen për “Kundërshtim të punonjësve të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe  “Prishja e qetësisë publike”.

Sipas policisë, ata kanë bërë veprime të dhunshme mbi institucionet Kushtetuese, mbi Policinë dhe për shkatërrim të pronës gjatë zhvillimit të protestës së opozitës nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ditën e sotme para parlamentit. Personat e arrestuar dhe ata që janë shpallur në kërkim, sipas policisë së Tiranës janë identifikuar në bazë të një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.

Në kërkim;
- J.Gj., 24 vjeç, nga Shijaku
- M.D., 24 vjeç, nga Mamurrasi
- A.K., 20 vjeç, nga Rrësheni
- B.D., 36 vjeç, nga Kavaja
- E.M., 26 vjeç, nga Kavaja
- D.P., 31 vjeç, nga Tirana

Protesta e sotme ishte e gjashta për opozitën. Tubimi nisi para parlamentit rreth orës 09:30 më pas u zhvendos përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku liderët opozitarë kërkuan lirimin e protestuesve të shoqëruar nga policia, për t'u mbyllur më pas protestën përpara selisë së Partisë Demokratike. Por pasdite, simpatizantët dhe drejtuesit e PD-së u rikthyen sërish te Drejtoria e Policisë së Tiranës. Rreth orës 17:30, grupi i banorëve të Unazës së Re që protestojnë kundër projektit, të drejtuar nga Klevis Balliu i Partisë Demokratike marshuan drejt policisë së Tiranës, pikërisht për të kërkuar lirimin e Dorjan Protoduarit, që është njëri prej personave të arrestuar për protestën e sotme,  por edhe personave të tjerë që u shoqëruan.

Pas mbërritjes te Drejtoria e Policisë së Tiranës me protestuesit u bashkuan edhe sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, si dhe ish-deputetët e Partisë Demokratike Albana Vokshi, Endri Hasa, Gent Strazimiri e Andon Frrokaj. Ata qëndruan deri rreth orës 21:00, kur u liruan për t'u hetuar në gjendje të lirë tetë nga protestuesit (në total 17), por jo Dorjan Protoduari, i cili është një personazh i njohur për policinë, pasi është ndaluar edhe herë të tjera pas incidenteve te Unaza e Re. "Këta djem janë për t'u dekoruar. Bravo u qoftë! Këta heronj protestojnë për zgjedhje të lira. Do apo nuk do ky palaço të hapë veshët, protesta do të vazhdojë" tha Klevis Balliu.