Protestuesi me tepsi mesazhe "politike" edhe nga kongresi i PS

23 Mars 2019, 18:52

Dilaver Lala as nuk e kishte çuar ndërmend se Presidenti i vendit Ilir Meta do të deklaronte se do të sakrifikojë jo vetëm karrigen por edhe jetën e tij duke u vetëvrarë si Salvador Allende, vetëm që vendi të dalë nga ngërçi politik. Këtë qëndrim Meta e bëri publik tre ditë më parë. Por 55-vjeçari nga Laçi, më 16 mars, kur opozita protestonte kundër qeverisë, me tre tepsi në kokë, përcillte mesazhin se në Shqipëri të gjitha partitë mendojnë për pushtetin e tyre.

Atë ditë ai tha se do të vetëshpallej president dhe se këtë kërkesë do ja paraqiste Ambasadës amerikane në vendin tonë. Ndërsa kreu i shtetit Ilir Meta hoqi paralele me presidentin e Kilit Allende që u vetëvra i rrethuar nga ushtria duke mos dashur të lëshojë pushtetin. Dilaver Lala, në deklaratat e tij thoshte se do të hedhë kandidaturën si presidenti i vetëshpallur si Guaido (Presidenti i Venezuelës).

"Ky shtet ka mbaruar, ky estabilishment ka përfunduar. Unë protestoj kundër këtij estabilishmenti që na ka lënë larg Europës", shprehej ai në një prononcim për Report Tv, teksa ishte i vetmi protestues ndryshe në tubimin e opozitës kundër qeverisë. Ishte i pavarur, pasi dhe vetë mbështetësit e opozitës nuk e pranuan në protestë, duke e dëbuar.