Pse shqiptarët i duan gjuhët e huaja? Të ftuar Alket Veliu i Sidi Education dhe Fitore Sulejmani e ELITA

10 Janar 2019, 08:09

Rritja e numrit të shqiptarëve që duan të emigrojnë në Gjermani ka sjellë një rritje të jashtëzakonshme të të rinjve që duan të mësojnë gjuhën gjermane. Këtë e pohojnë vetë përfaqësues të qendrave që ofrojnë kurse të gjuhëve të huaja, sipas të cilëve kërkesa e lartë ndërkaq ka sjellë edhe punësimin e ish emigrantëve si mësues të gjermanishtes. I ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, Alket Veliu, administrator i SIDI Education tha se vihet re një rritje e madhe e atyre që kërkojnë të mësojnë gjermanishten veçanërisht në vitet e fundit.

Vitet e fundit ka në trend rritës për gjuhën gjermane , kjo për shkakun e punësimit. Mund të them pa e ekzagjëruar që nëse 10 vite më parë kishim apo nuk kishim ndonjë grup me 2-3 vetë që donin të mësonin gjermanisht, sot gjuha gjermane ka kërkesa të jashtëzakonshme. Le të themi që zë një peshë jo të vogël në të gjitha qendrat e gjuhëve të huaja në Shqipëri. Kjo për arsye të emigrimit dhe politikave të shtetit gjerman për të thithur punonjës të kualifikuar sidomos në fushën e mjekësisë.

Alket Veliu, administrator Sidi Education

Gjatë bisedës në studion e “Rreze Dielli”, Veliu foli edhe për mënyrën se si funksionon tregu i kurseve të gjuhëve të huaja, ku duket se informaliteti vazhdon të jetë shumë i lartë.