PSG-Manchester City dhe Real Madrid-Chelsea gjysmëfinalet e Champions League, jashtë Liverpool

15 Prill 2021, 12:56

Real Madrid dhe Manchester City janë dy skuadrat e tjera që sigurojnë kualifikimin për në gjysmëfinalet e Champions League. Në fazën finale të kompeticionit do të përballet PSG ndaj Manchester Cityt dhe Real Madrid me Chelsean për të siguruar biletën për finalen e madhe të Stambollit. Real Madrid rezistoi mbrëmë në “Anfield Road” duke i marrë një barazim pa gola Liverpoolit dhe duke i eliminuar anglezët. Portieri Kurtua ishte heroi i spanjollëve që mbajti portën e paprekur dhe falë fitores 3-1 në çerekfinalen e parë avancoi ekipi specialist i  Championsit.

Në tentativën e pestë Pep Guardiola ia del që të shkojë në gjysmëfinalet e Champions me Manchester Cityn. Anglezët arritën një fitore fotokopje edhe në Gjermani me rezultatin 2-1 ndaj Dortmundit. Bellingham shënoi një gol të bukur dhe mbylli në avantazh pjesën e parë për verdhezinjtë por në pjesën e dytë City tregon gjithë potencialin dhe fillimisht barazon Mahrez me penallti e më pas Foden shënon golin e fitores. Ndeshjet e para të fazës gjysmëfinale do luhen më 27 e 28 prill dhe premtojnë spektakël./Përgatiti Andi Kapxhiu