Qëllohet me 6 plumba në hyrje të shtëpisë, humb jetën gazetari grek i kronikës, Karaivaz

9 Prill 2021, 15:32 | Përditesimi i fundit: 2021-04-09 17:01:17

Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin fqinj, Greqinë, ku gazetari grek i kronikës së zezë, Giorgos Karaivaz, është vrarë në hyrje të shtëpisë së tij pasi u qëllua me 6 plumba nga persona ende të panjohur. Në bazë të të dhënave të policisë, në zonë janë gjetur të paktën 17 gëzhoja në tokë.

Sipas mediave greke, sapo gazetari ka dalë nga makina dhe i është drejtuar hyrjes së shtëpisë së tij, rreth orës 14:30, i janë afruar dy persona me motor, njeri prej të cilëve e qëlloi me armë me silenciator, nga një distancë shumë e afërt, duke e lënë të vdekur.

Mbetet e paqartë nëse autorët e krimit e ndoqën Karaivazin apo pritën që gazetari të mbërrinte në shtëpi. 2 bashkëpunëtorët e vrasjes së gazetarit, identiteti i të cilëve është ende i panjohur, janë larguar menjëherë nga vendi.

Karaivaz, ishte një ndër gazetarët më të njohur të kronikës në vend dhe ishte pjesë i një emisioni të përditshëm, në STAR TV. Ai gjithashtu drejtonte edhe faqen e internetit "bloko.gr" përmes së cilës raortonte mbi temat që trajtonte. 

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për rrethanat e çështjes.

Vrasja e gazetarit ka shkaktuar tronditje në Greqi, veçanërisht midis në mesin e gazetarëve, ku disa mendojnë se puna e tij dhe raportimi mbi krimin mund të ketë lidhje me vrasjen e tij brutale.

Kjo është hera e dytë që në vend vritet një gazetar.

Për herë të parë një ngjarje e tillë, ka ndodhur më 19 korrik të vitit 2010, ku gazetari Sokratis Gjolia është qëlluar me armë jashtë shtëpisë së tij, në orën 05:30 të mëngjesit, pas një lajmërimi të rrem se po i vidhnin makinën, në mënyrë që të dilte nga shtëpia dhe ta qëllonin.

37-vjeçari është qëlluar 16 herë nga një distancë e vogël.