Selenicë, qëllohet me armë zjarri në drejtim të banesës së punonjësit të bashkisë

21 Maj 2019, 12:50 | Përditesimi i fundit: 2019-05-21 15:49:10

Banesa e shefit të shërbimeve publike në bashkinë e Selenicës është qëlluar me breshëri kallashnikovi në orën 01:00 të mesnatës në rrethana ende të paqarta. Report Tv sjell pamjet nga banesa e 26 vjeçarit Xhuljo Marra në Selenicë që është qëlluar me breshëri, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Në murin rrethues, por edhe pjesët e tjera duken shenjat e plumbave që zbrazën nga armët mbrëmë autorët. Marra është person pa precedent penal dhe prej tre vitesh punon në bashkinë e Selenicës. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku po kryen veprimet e mëtejshme hetimore në lidhje me identifikimin dhe kapjen e autorit, por deri tani nuk ka asnjë të ndaluar. Ngjarja duket se ka qenë një paralajmërim për Marrën, por ai mohon që të ketë konflikte.

Në dëshminë e tij në polici, 26-vjeçari ëshë shprehur se nuk ka konflikte me asnjë person dhe se nuk ka dijeni nga se mund të ketë ardhur. Përveç pistës së paralajmërimit po hetohen edhe të tjera për të shtënat që terrorizuan familjen Marra, por edhe fqinjët e tij në mesnatë. Kjo është e disata ngjarje që regjistrohet në Vlorë pas dy atentateve pak ditë më parë, që ende nuk janë zbardhur.