Qeveria e re “Conte 2” merr votëbesimin në Parlamentin e Italisë. Ja si u votua

10 Shtator, 15:10

Për herë të parë gjatë krizës më të veçantë të kohëve të fundit, gjithçka shkoi ashtu siç duhej. Qeveria italiane e ‘Conte bis’, dje në mbrëmje, morri dhe besimin e Parlamentit me 343 vota pro dhe 263 vota kundër të Lega, Forza Italia dhe Fratelli d'Italia.

Ajo që ra në sy në fjalën e kryeministrit ishin përdorimi i fjalëve të reja kyçe me thekse të ndryshme, i shumë sinonimeve dhe që patën për kryefjalë humanizmin.

Mirëqënia për njerëzit e thjeshtë, përmes zbatimit të reformave, ishte tema e veçantë e trajtuar nga kryeministri Conte.

Kryeministri përpara deputetëve premtoi shumë. Ai tha se do të shmangë rritjen e TVSH-së dhe do të fillojë të lehtësojë barrën e taksave, pavarësisht se për Brukselin nuk është e pranueshme.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte në fjalën e tij  tha se projekti i ri qeveritar shënon fillimin e një sezoni të ri të reformave, ndërsa shtoi se ai së bashku me partitë e koalicionit do të punojnë për të çuar vendin përpara.

“Ky projekt politik shënon fillimin e një sezoni të ri të reformave të cilat unë besoi se do t'i japin zgjidhje shumë problemeve që po përjeton Italia” tha kryeministri në fjalimin e tij para Dhomës së Parlamentit.

Gjithashtu të martën qeveria do të kërkojë besimin edhe të Senatit, ku sipas parashikimeve, mund të votëbesohet me të paktën 161 vota.

Kryeministri Conte në fjalën e tij theksoi gjithashtu se 'nuk kemi kohë për përplasje politike dhe ideologjike por kemi nevojë për krijimin e një axhendë aktive, e cila duhet të synojë forcimin e strukturave qeverisëse".

Kryeministri Conte ka premtuar të rishikojë dekretet e sigurisë dhe ka kërkuar nga të gjitha palët përdorimin e një fjalori "më të përshtatshëm dhe më të respektueshëm". Conte gjithashtu ka vënë theksin dhe te "Ligji për barazinë gjinore në paga"si dhe autonominë rajonale "por jo Italinë me dy shpejtësi".

Votbesimi në Parlament nuk kaloi pa incidente. Fjalimi dhe replikat e kryeministrit shpesh u ndërprenë nga grupet e qendrës së djathtë. Disa deputetë të ulur në pjesën e sipërme të dhomës gjithashtu arritën të ngrinin një kolltuk, duke bërtitur "cadrega", një kolltuk venecian dhe duke brohoritur korin "kolltuk, kolltuk".

E ashpër ishte replika e kryeministrit ndaj opozitarëve të ‘Lega’, ‘Forza Italia’ dhe ‘Fratelli d'Italia’ - “Ndërsa Lëvizja 5 Yjet u tregua koherente karshi programit të saj, ju po demostroni se jeni koherent me rehatinë tuaj elektorale” – tha Conte

Paralelisht me replikat e Kryeministrit, Matteo Salvini dhe Giorgia Meloni iu bashkuan mbështetësve të tyre që protestonin kundër qeverisë.

Edhe pse Salvini duket humbësi i madh, sipas sondazheve, ‘Lega’ e tij ende votbesohet nga 30 përqind e italianëve.

Kategori të tjera