Rama: Ata përdorën pushtetin për hesape personale! Pas 30 qershorit vendoset kufiri përfundimtar 'Shteti mbi çdo politikan'

15 Qershor 2019, 20:50

E vetmja viktimë e protestave të opozitës është Shqipëria, është ekonomia e njerëzve të zakonshëm. Edhe pak, edhe disa ditë durim, edhe disa ditë rezistencë, këmbëngulje, deri në 30 qershor. Sepse në 30 qershor do të vendoset një kufi shumë i qartë dhe përfundimtar për ata që i kanë dhënë të drejtën vetes gjithë jetën që të jenë mbi ligjin, që kanë menduar se Shqipëria është një shesh për përsheshet e tyre. Për ata që gjithë jetën kanë dhënë shembullin më të keq për qytetarët, duke folur gjithë ditën për ligjin dhe duke e shkelur ligjin sa herë ka ardhur dita për hesapet e tyre personale. 30 qershori ka rëndësi të madhe për Shqipërinë që duam dhe për shtetin që po përpiqemi çdo ditë të ndërtojmë. Ky vend nuk është bërë shtet jo sepse është e vërtetë ajo që thonë dhe kanë shkruar qysh në fund të shekullit 19-të armiqtë e këtij vendit që shqiptarët janë me bisht, nuk bëjnë dot shtet. Ky vend nuk është bërë shtet sepse disa shqiptarë me pushtet, e kanë përdorur pushtetin për ta shkelur me këmbë shtetin. 30 qershori është dita që populli t'i thotë politikanëve se kushtetuta, ligji dhe shteti janë mbi çdo politikan, parti, pazar e kompromis mes partive. Korçën dhe Shqipërinë o e bëjmë ne o nuk e bën dot askush tjetër", tha Rama.