Rama me të rinjtë në Lezhë, thumbon Palokën: Ai do thoshte 'thum gabim ke bërë'

8 Nëntor 2018, 18:24

Kryeministri Rama së bashku me ministren e Arsimit Lindita Nikolli dhe deputetin socialist Pjerin Ndreu zhvilluan një takim me të rinjtë e Partisë Socialiste në Lezhë.

Përpara se fjala t’i jepej kryeministrit Rama, fjalën e ka marrë Nikolla e më pas Ndreu, të cilët e kanë vendosur theksin tek fuqia që kanë të rinjtë për të ndryshuar qytetin e tyre. Ndreu u shpreh se sot është dita e rizgjimit të Lezhës, një qytet sipas tij i harruar deri më tani. “Kemi rrugë të vështirë të përpara sepse kërkojmë fitore”, deklaroi Ndreu, i cili bëri të ditur dy ditë më parë në emisionin e Report Tv, “45 minuta” se do të kandidojë për postin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës.

Deputeti socialist recitoi më tej një fragment nga një vjershë e Migjenit, për t’iu drejtuar të rinjve të pranishëm, e më pas në nota humori u shpreh se faktin që ka një dhomë me libra duhet ta dëgjojë edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro . Ndërkohë, nuk kishte sesi të mungonte reagimi i kryeministrit. "Mirëkuptoni emocionet e mia, pasi një ish-polic po reciton një poezi", tha Rama duke iu drejtuar të rinjve. 

Kryeministri u shpreh në të njëjtën linjë me Nikolllën e Ndreun se qyteti i Lezhës ka nevojë që të ketë në përmasa më të mëdha ëndrra dhe shpresa, pasi sipas tij, shumë zona të sajat vuajnë nga vjetërimi. “Shumëkush thotë që s’merrem me politikë dhe gënjen veten, sepse politika nuk është diçka që mund t’i shpëtosh. Politika merret me ty dhe sa më pak njerëz të merren me politikën, aq më shumë rrezikojnë të vuajnë nga gabimet e bëra nga pak njerëz. S’është fjala për t’u bërë politikan, por të jesh një qytetar, jo thjesht një njeri i mirë, që të shqetësohesh çka ndodh në prag të banesës tënde. Politika vendos sesa taksa paguan ti dhe faktikisht shumë shpesh njerëzit janë të prirur të thonë se të gjithë janë njësoj, por nuk është kështu sepse gjërat do vazhdonin të ishin njësoj”, u shpreh Rama.

Në takimin që dukej si fillimi i fushatës për vendoret e 30 qershorit, Rama thumboi bashkinë që drejtohet nga demokratët. "Bashkëjetesa e makinave me delet në mes të qytetit iu duket si model zhvillimi, iu duket vizion atyre. Një vizion i tillë të çon për lesh dhie", komentoi Rama, i cili duke iu dorëzuar kartat anëtarëve më të rinj nuk i la mënjanë as batutat karakteristike. “Ja shih Palokën tonë, shih Palokën e atyre, e shko voto kot pastaj. Ai do thoshte 'thum gabim ke bërë' " - tha Rama teksa po i dorëzonte kartën e anëtarësisë një vajze me mbiemrin Paloka.