Real Madrid lë pas zhgënjimet, mposht Alaves! Atalanta turpëron Milan-in, Inter-i ngec me Udinese-n

24 Janar 2021, 12:44

Real Madrid ka lënë pas ecurinë negative prej tre ndeshjesh të cilat i kushtuan largimin nga Kupa e Mbretit, por edhe nga Superkupa, pasi ka fituar 1-4 kundër  Alaves në sfidën e vlefshme për javën e 19 të La Liga-s.

‘galaktikët’ do të vulosnin tre pikët pothuajse që në pjesën e parë, pasi realizuan fillimisht me Casemiro-n, më pas me Benzema-n dhe më tej me Hazard. Gjithsesi vendasit tentuan të futeshin në lojë me një gol në minutën e 59, por pak çaste më pas Benzema bëri ‘bomberin’, duke vrarë çdo shpresë të Alaves.

Me këtë fitore Real Madrid ngjitet në vendin e dytë me 4 pikë më pas se rivalët e qytetit, Atletico, por këta të fundit kanë 2 ndeshje më pak, ç’ka mund ta çojë diferencën në 10 pikë.

Ndërkohë në Seria A Milani e ka mbyllur me një humbje turpëruese fazën e parë të sezonit, pasi Atalanta e Gjimshitit i mposhti 0-3. Në San Siro ‘djalli’ ishte i pafuqishëm ndaj bergameskëve, të cilët realizuan tre herë falë Romero-s, Iliçiç dhe Zapata-s.

Gjithsesi Milan është shpallur kampione dimri, pasi Inter nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola kundër Udinese-s. Zikaltërit vinin në këtë transfertë pas fitores me Juventusin, por atmosfera pozitive nuk ishte vendimtare për të thyer friulanët.