Reforma Zgjedhore/ Gjoni këmbëngul: Ejani të hartojmë bashkë draftin

18 Prill 2019, 11:55

Socialistët pranuan dje që të diskutojnë edhe ndryshime të sistemit zgjedhor në Shqipëri, pas këmbënguljes së deputetëve të rinj të opozitës, se nuk do të uleshin në komisionin e reformës zgjedhore pa u plotësuar ky kusht. Taulant Balla i dërgoi një letër Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ku i kërkoi ndryshime në vendimin për Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Ai kërkoi që afati i Komisionit që është deri më 5 maj të zgjatet deri në 28 nëntor dhe pjesë e veprimtarisë së Komisionit, të shtohen edhe çështjet e sistemit zgjedhor në Shqipëri. Por opozita e re sot kundërshtoi procedurën e futjes në Kuvend të propozimit të Taulant Ballës. Ralf Gjoni dhe Nimet Musaj kërkuan kohë që dy palët, opozita e re dhe shumica të ulen dhe të diskutojnë draftin në mirëkuptim. Balla u shpreh i hapur për propozimet që mund të vijnë nga opozita e re.

Diskutimet në Kuvend për Reformën Zgjedhore
Ralf Gjoni: Hajde të ulemi të hartojmë një draft dhe të bëjmë dicka me mirëkuptim, ju lutem tërhiqeni këtë, pasi është shkelur rregullorja për mënyrën si është futur në rendin e ditës.

Taulant Balla: Krijimi i grupeve parlamentare të opozitës është një moment i rëndësishëm për punën parlamentare dhe miqësisht do i kërkojë zotit Gjoni merreni me qetësi dhe dashuri përpjekjen time për të futur propozimin tuaj. Rregullorja parashikon që 24 orë para seancës mund të propozohet përfshirja në rendin e ditës. Objektivi është i përbashkët për reformën zgjedhore, sipas kërkesës suaj do të përfshirë edhe rishikimin e sistemit zgjedhor. Kam provuar që 28 nëntor, të jetë edhe afati përfundimtar i këtij komisioni. Deri në fund të seancës kemi kohë për të pritur dhe shqyrtuar dhe pranuar të gjitha propozimet. Ju keni bërë një punë të mirë me propozime konkrete. Ne nuk kemi kushte për reformën zgjedhore. Në PS ka veëm një kusht për reformën, votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Në fund të seancës propozimet tuaja do të sjellin vendimin edhe sipas pritshmërive tuaja.

Ralf Gjoni: Atë qetësinë dhe dashurinë e paske mbajtur mend, ne jemi të qetë se kërkesa jonë buron nga sinqeriteti. Me dashuri po ju trajtojmë pasi nëse nuk do u trajtonim ashtu do e shikonit si do u trajtonin. Shërbimet e Kuvendit më njoftuan se kërkesa nuk ishte futur në rendin e ditës dhe e hapur për diskutim. Hajde të ulemi dhe të diskutojmë, të gjithë bashkë. Rrimë këtu deri në 12 të natës dhe votojmë draftin. Vota e shqiptarëve jashtë, patjetër. Po ju sa vite keni në pushtet dhe në krevat me PD-në, kur ka qenë amendimi juaj i fundit për votën e shqiptarëve.

Gramoz Ruçi: Kuvendi ka vepruar në rregullore. Nëse kjo cështje do të përfshihet, sigurisht që do të ketë regjistrime emrash. Unë e shikoj kërkesën e Ballës si përpjekje për të kurorëzuar rezervat që shprehët në seancën e kaluar dhe përgëzoj. Do të përfshihet apo jo do kërkoja mirëkuptimin e tre kryetarëve të grupeve për objektin dhe kohë. Nëse ka nevojë për diskutim jemi gati.