Refugjatët të rënë në 'çarkun' midis kufirit Shqipëri-Greqi! Report tv depërton në tokën neutrale, sjell dëshmi ekskluzive të emigrantëve të paligjshëm

14 Tetor 2021, 10:15

Në kufirin e gjelbër midis Shqipërisë dhe Greqisë kanë mbetur shumë emigrant nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia.

Report Tv ka depërtuar në tokën neutrale dhe ka marrë dëshmitë ekskluzive të refugjatëve të paligjshëm që nuk pranon t’i strehojë asnjë shtet.

Nuk duan, por janë të detyruar të qëndrojnë midis dy kufijve emigrantët nga Lindja e Mesme.

Tresteniku, fshati pranë kufirit të gjelbër Shqipëri-Greqi, mbart histori njerëzish që ikjen nga vendlindja e shohin vendin tonë si të vetmin shpëtim për jetën e tyre.

Kufiri i gjelbër mes dy shteteve fqinjë është populluar nga emigrantë të refuzuar.

“Jam nga Libani”- tregon njëri prej tyre.

Edhe ai si të gjithë ata që kanë mbetur si në grackë midis Greqisë dhe Shqipërisë ka një histori të cilën kërkon ta lerë pas, andej nga ku nuk dëshiron të kthehet më.

 “Jeta është shumë e vështirë në vendin tim. Ika për shkak regjimit të Hezbollahut, humba dhe syrin tim. Prandaj vendosa të iki.”- thotë emigrant që u bë edhe udhërrëfyesi jonë.

“Kam ardhur nga Siria. Tetë herë jam përpjekur të kaloj nga Turqia në Greqi. Jemi tortuar e kemi vuajtur shumë. Jam bashkë me vëllain dhe 4 persona të tjerë. Duam të shkojmë në Serbi dhe nga Serbia në Gjermani. Do të përpiqemi deri sa tia dalim.”- thotë një emigrant tjetër.

“U largova nga Siria përmes reporterëve pa kufij, qëndruam në pyll për më shumë se 15 ditë. Atje humbëm kushëririn dhe nuk gjetëm asnjë gjurmë të tij. Po shkoj në Gjermani pasi situata në vendin tim është shumë e keqe. Kam 10 ditë që jam në Shqipëri, por policia na pengon të kalojmë Tiranën. Në Greqi i jemi nënshtruar racizmit, jemi kërcënuar dhe rrahur nga ushtria greke.”- tregon një tjetër.

Ky është vetëm fillimi i tregimit të trishtë të tij, pothuajse i njëjtë me shumë histori të tjera të këtyre njerëzve që u duket se kanë përfunduar në zonën e kurrkundit.

“Frontex na pengon të kalojmë dhe të arrijmë në Gjermani. Dëshiroj të arrij në Evropë edhe nëse më kushton qe të vdes, pasi ky është qëllimi im për të jetuar me dinjitet dhe i sigurtë.”

Nga,Siria, Pakistani, Afganistani, Libia, Sudani, Irani e vende të tjera të Lindjes së Mesme, ata tregojne për Report TV peripecitë e përjetuara jo vetëm në shtetin e tyre por edhe për ato situata që kanë hasur gjatë rrugës.

“Erdha nga Turqia në Greqi, nga Greqia këtu me kontrabandistët... Vuajta gjatë rrugës, tani ndodhem këtu por ndjej se kam ngecur pasi edhe këtu situata është shumë e vështirë.”

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar raste të refuzimeve të paligjshme dhe keqtrajtime të emigrantëve duke shkelur sipas tyre të drejtat e azilkërkuesëve për kalim të sigurt dhe mbrojtje. Për verifikimin e tyre, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë nisur edhe hetimet përkatëse për shtetet kufitare dhe agjencinë e ruajtjes së kufirit.

Kroacia dhe Greqia janë në rrugën ballkanike, e cila përdoret nga emigrantët që ikin nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë drejt Evropës Perëndimore. Emigrantët përpiqen të hyjnë në Kroaci kryesisht nga Bosnja, në Greqi mbërrijnë nga deti dhe toka nga Turqia.