Regjisorja që la dubain për t’iu përkushtuar botës së filmit në Shqipëri

10 Dhjetor 2020, 11:54

Të rinjtë shqiptar që largohen nga Shqipëria për një jetesë më të mirë apo për të zhvilluar më tej karrierën e tyre janë të shumtë. Por kur dëgjojmë për të rinj që braktisin një vend tjetër për t’u kthyer në Shqipëri na duket mjaft e çuditshme. Ky është edhe rasti i Rain Nikollës, regjisores e cila la Dubain për t’u kthyer në Shqipëri e për t’iu përkushtuar botës së filmit këtu.  

Në një intervistë në ‘’ Rreze Dielli’’ regjisorja Rain Nikolla tregoi jetesën e saj në Dubai, punën e saj si fotografe dhe eksperiencën e të punuarit jashtë Shqipërisë:

‘’ Dubai është një kulturë tjetër, mund të njohësh njerëz nga e gjithë bota sepse 90% e popullsisë të Dubait janë të ardhur kështu që të jep mundësinë të njohësh kultura të tjera. Ka qenë vështirësia e fillimit për të gjetur punë atje si fotografe, për të gjetur klientët e parë, kështu që përshembull klientët e parë i kam gjetur online ‘’ tha ajo.

Ashtu si shumë të rinj të tjetër, ajo mendoi se nuk kishte te ardhme në Shqipëri dhe për këtë arsye vendosi të largohej:

“ Unë kam punuar me projekte filmike si asistente dhe sigurisht që doja mundësinë që të bëja filmin tim si regjisore por në atë kohë nuk po më jepej mundësia dhe mendova se nuk kam të ardhme këtu, kështu që mendova të largohesha ku të jetë, çfarë të jetë. Në atë moment duke bërë kërkime mu duk interesante jeta në Dubai, dhe thashë po shkoj, por nuk e mendova se do të rrija kaq gjatë’’ rrëfeu ajo.

Tashmë ajo ka filluar projektet e saj në Shqipëri, filmi ‘’ Diell’’ është projekti që sapo ka përfunduar dhe që pritet të dal së shpejti, por e pyetur përse vendosi Shqipërinë dhe jo Dubain për projektet e saj, Rain u shpreh se kinematografia në Shqipëri është më e zhvilluar se në Dubai dhe historitë që ajo dëshiron të rrëfejë nëpërmjet filmave të saj janë histori shqiptare:

‘’ Historia e filmit është shqiptare, unë doja ta bëja në Shqipëri dhe kinematografia këtu është më e zhvilluar në fakt se në Dubai, atje të jep më shumë mundësi për punë por më tepër komerciale, të paktën për artin unë e gjej veten më mirë në Shqipëri’’ përfundoi ajo.

Me shpirtin e saj eksplorues dhe pas një eksperience të gjatë në Dubai regjisorja Rain Nikolla e ka gjetur vendin ku dëshiron që të qëndrojë përfundimisht si edhe  mbështetjen e duhur për të zhvilluar karrierën e saj.