Rehabilitimi i trotuareve në Rrugën e Kavajës, Veliaj: Tirana, qyteti që po përqafon biçikletat

20 Janar 2019, 15:01

Rruga e Kavajës, një nga akset kryesore të kryeqytetit, ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. Pas rehabilitimit të rrjetit të ujësjellës kanalizimeve dhe ndërtimit të korsive të dedikuara për biçikletat, Bashkia e Tiranës ka nisur një investim të rëndësishëm për ndërtimin e trotuareve të rinj. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet dhe theksoi se rikonstruksioni i plotë i trotuareve do t’i japë mundësi qytetarëve që të lirojnë aksin e dedikuar për biçikletat.

Ndërhyrja kryesore ishte aksi qendror për biçikletat. Është një qytet që po i përqafon biçikletat, shumë të rinj po hipin mbi dyrrotakë dhe kjo është e ardhmja. Sheshi “Skënderbej”, Kalaja e Tiranës, Pazari i Ri, Liqeni, janë objekte ikonike, por ne na duhet që lëvizshmëria jonë të jetë një pedonale cilësore, ndaj dhe jam shumë i lumtur sot që në rrugën e Kavajës po bëjmë një shtrim të të gjithë trotuareve. Do t’u kërkoj banorëve që, me të mbaruar investimin e trotuareve cilësore tek rruga e Kavajës, të lirohet aksi qendror ekskluzivisht për biçikleta, dhe pastaj të gjithë këmbësorët të përdorin dy trotuaret anësorë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Kryebashkiaku vlerësoi se ky është një investim që do t’i rezistojë kohës, duke qenë se Bashkia e Tiranës ka kryer të gjitha punimet nëntokësore që lidhen me rrjetin e ujësjellësit dhe telekomunikacionit. Sistemimi i trotuareve po shoqërohet gjithashtu me lirimin nga pengesat dhe ndërtimin e rampave për PAK.