Rekord i nxehti në Evropë. Parisi më i ngrohtë se Zambia

25 Qershor 2019, 11:31

I nxehti afrikan "ka trokitur" në dyert e Europës duke çliruar temperatura mbi 40 gradë, me të cilat banorët e Kontinentit nuk janë mësuar. Gjermania, Zvicra, Belgjika, Franca, Britania e Madhe, Spanja dhe Italia Veriore po durojnë temperatura më të larta se ato në Zambia.

Në Francë, temperaturat e krahasueshme me ato të muajit gusht të vitit 2003, më të lartat që pas luftës së Dytë Botërore, kanë shkaktuar vdekjen e disa personave të moshuar dhe kanë mbushur spitalet. Instalimi i rubineve të reja me ujë të pijshëm në çesmat publike dhe dhomat e ftohta në ndërtesat publike, pritet të zbusin sadopak të nxehtin afrikan.

Ministri francez i shëndetësisë ka bërë të ditur se në spitale gjithçka është gati për të ndihmuar njerëzit që do të paraqiten aty për shkak të të nxehtit.