Pamjet me dron nga mali i Tomorrit, pelegrinët në vendin e shenjtë, 2416 metra mbi nivelin e detit

23 Gusht 2020, 15:55 | Përditesimi i fundit: 2020-08-24 10:25:46

Report TV sjell pamjet me dron nga pelegrinazhi në Malin e Tomorit. 20 - 25 gushti janë ditë të veçanta për besimtarët bektashinj. Janë ditët e Abaz Aliut që kremtohen me pelegrinazhin në malin e Tomorit. Mijëra njerëz kanë mbërritur në 2416 m lartësi mbi nivelin e detit për ritet fetare. Ata kanë udhëtuar mijëra kilometra nga anembanë Shqipërisë, por edhe Kosova, Maqedonia e mbarë bota drejt malit të cilin e cilësojnë të shenjtë.

Për pesë ditë rresht, besimtarët vizitojnë vendet e shenjta, ndjekin ritualet e festës së Abaz Aliut dhe dëgjojnë fjalimet e klerikëve të tyre mbi historinë e shenjtërimit të baba Tomorit dhe veprat e shenjtorëve bektashi. Luten e ndezin qirinj në varrin e shenjtorit "Abaz Ali", e bëjnë kurban duke kërkuar më shumë shëndet dhe mirësi për familjet e tyre.