Reshjet e shiut, erozioni rrezikon lagjen Varosh në Lezhë

24 Janar 2021, 09:23

Nisja e reshjeve të shirave shton rrezikun për përmbytje dhe rrëshqitje dherash, sidomos në lagjen Varosh të Lezhës, ose siç njihet ndryshe lagjja e spitalit.

Banorët i druhen erozionit që mund të shkatërrojë banesat e tyre, ndërsa shprehen se nuk është marrë asnjë masë.

Këtu është problem për ta mbaruar shpejt, por ende s'kanë ndërhyrë.. Ka 15 vjet janë bërë blindat janë futur hekurat në tokë, në njërën anë të kodrës, në anën tjetër jo. Po presim kur të vendosë qeveria", shprehet një banor.

Prefekti i Lezhës shprehet se nga pikëpamja gjeologjike e gjithë zona në lagjen "Varosh" është problematike dhe nuk duhet të ishte lejuar ndërtimi i shumë objekteve në këtë zonë.

"Ka një rrëshqitje në një tokë në të cilën s'duhet të ishte lejuar të ndërtohej pasi nga pikëpamja gjeologjike është formacion rrëshqitës. Ky alarm për këtë territor është dhënë prej 20 vitesh, unë theksoj se territori është i rrezikshëm, nuk duhet lejuar formalizimi i këtyre shtëpive", shprehet Gjok Jaku Prefekt i Qarkut Lezhë.

Edhe para dy javësh 5 familje u evakuuan në këtë lagje, ndërsa rreziku mbetet prezent për disa objekte të ndërtuara pas viteve '90.