Revolucion në teatrin 'Bylis' në Fier/ Klajdi Marku për Report Tv: Gati shfaqjet për në dhjetor, vetëm COVID na pengon

27 Nëntor 2020, 16:36 | Përditesimi i fundit: 2020-11-27 18:54:28

Punimet në teatrin 'Bylis' të Fierit janë drejt përfundimit. Drejtori Klajdi Marku në intervistë për Report Tv tha se qytetarët fierakë do të kenë tashmë një teatër modern. Ajo që nuk dihet është se kur do të prese spektatorët e parë, sepse për shkak të pandemisë teatrot në gjithë vendin po qëndrojnë të kyçur.

Prej një vit teatri "Bylis" në Fier po i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë. Fillimisht është punuar për skenën, dhomat e aktorëve dhe sallën, e më pas për hollin dhe fasadën. 

Drejtori Klajdi Marku zbuloi skenën e re dhe tregoi me pasion gjithë punimet që po kryhen në teatër.

 “Teatri Bylis ka gati një vit e pak që është në rikonstruksion. Skena është rikonstruktuar totalisht, e gjitha duke filluar që nga dyshemeja, me kupolë  me xhepat e skenës , salla ku ne ndodhemi këtu dhe ku ulen spektatorët . Një element shumë i rëndësishme është dhe ngrohja dhe ftohja, për të cilën teatri ka vuajtur", tregon Marku.

Teatri Bylis pritet të përfundojë në dhjetor, por ende nuk dihet se kur do të shkelin spektatorët në këtë sallë.

 “Në fundi të vitit, nga mesi i dhjetorit ne e përfundojmë këtë punë dhe teatri do të jetë gati për të filluar shfaqjet. Por, ne po e shikojmë ca po ndodh me pandeminë. Të jemi realist, ne vërtetë i duam shfaqjet por në radhë të parë duam jetën dhe në këtë kontekst është e rëndësishme të kuptojmë që nëse kjo punë do të vazhdojë kështu, të paktën atëherë shfaqjet ose inaugurimi i kësaj pune me shpresë të Zotit do të bëhet, kur të lirohet. Por ne veprat i kemi gati, dhe ne kemi disa  variante që do të startojnë nëse do largohemi nëse largohemi nga rreziku i pandemisë”, shprehet drejtori Marku.