Rikonstruksioni i Xhamisë së Et’hem Beut, Rama: I kthehet shkëlqimi!

13 Prill 2021, 12:35

Edhe në kuadër të nisjes sot të muajit të Ramazanit, Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, inspektuan sot punimet që janë kryer për restaurimin e xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë.

Në bashkëbisedimin me kreun e Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, tha se “ky xhevahir i Trashëgimisë sonë Kulturore është kthyer në krejt shkëlqimin e vet, pas një pune të gjatë milimetrike, që ka nxjerrë gjithçka fshihej nën shtresat e kohërave.

"Sot është vendi ideal, për të uruar Muajin e Madh të Ramazanit me besimin e madh se ky do të jetë edhe një muaj i afrimit vendimtar me dritën në fundin e tunelit rraskapitës të pandemisë. Deri para 1 muaji ishte thuajse e paimagjinueshme që do hynit në muajin tuaj më të rëndësishëm të vitit të lehtësuar jo pak nga shtrëngesa e pandemisë. Me zgjatjen e orarit do të keni mundësi të bëni gjithë ritualet dhe ndërkohë shumë besim që ky muaj do jetë energjizues”, tha Rama.

Kryeministri shprehu besimin se me daljen nga tuneli i pandemisë, me hapjen e sezonit turistik, me hapjen e të gjitha punëve për njerëzit, do të kemi një perspektivë krejt tjetër”.

Ndërkohë që nga ana e saj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti informoi se punimet në këtë xhami janë në fazën përfundimtare.