Rikthehen fantazmat e dhunës në Superligë, përplasje e tension në takimin Kastrioti-Tirana

17 Mars 2019, 20:49

Ndeshja e javës së 25 të Superligës mes Kastriotit dhe Tiranës nuk ka kaluar pa incidente, duke rikthyer fantazmat e dhunës në futbollin shqiptar. Në fundin e takimit që u fitua 1-0 nga skuadra krutane ka patur një përplasje mes trajnerit të Tiranës Ardian Mema dhe gjyqtarit Olsi Sokoli.

Ky i fundit akordoi penalltinë tepër të dyshimtë që vendosi fatet e ndeshjes, ndërkohë që më pas nuk bëri diçka të ngjashme për pretendimet që kishte Tirana. Kjo ka qenë edhe arsye që trajneri Mema është kapur me arbitrin, ku për të qetësuar përkohësisht situatën është dashur ndërhyrja e policisë.

Gjithsesi situata ka qenë shumë e acaruar edhe më pas kur lojtarët janë futur në dhomat e zhveshjes. Pas disa shtyrjeve dhe ofendimesh për të mbrojtur lojtarët ka zbritur në hyrje të dhomave të zhveshjes edhe presidenti Halili. Në fund gjithçka është shuar, por nga fillimi deri në largimin e ekipit mik nga stadium situata ka qenë e acaruar.