Rikthehet për 14 shkurt “Tri gra dhe Misugi”, Suela Bako: Një vepër që flet për dashurinë dhe pasionin

13 Shkurt 2019, 14:28

Ata kanë mbi 15 vjet që janë bashkë si çift në jetë, por gjatë këtyre viteve kanë patur mundësinë të ndajnë edhe pasionin e profesionin e përbashkët për teatrin dhe kinematografinë. Çifti i njohur i aktorëve Suela Bako dhe Romir Zalla rikthejnë duke nisur nga nesër në Teatrin Eksperimental dramën “Tri gra dhe Misugi” , bazuar në novelën e famshme  “Çiftja” të shkrimtarit japonez Yasushi Inoue. E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, Bako e cila vjen në këtë shfaqje nën petkun e 3 grave japoneze tha se është një kënaqësi e madhe të risjellësh në teatër një vepër që flet për dashurinë dhe pasionin, e që për koinçidencë ngjitet në skenë pikërisht në 14 shkurt, ditën e të dashuruarve.

Problemi është që kështu qëlloi. Datat  që u vendosën janë të kësaj jave të shkurtit dhe javës tjetër të shkurtit. Është kënaqësi shumë e madhe kur ndan një vepër që flet vetëm për dashurinë dhe pasionin, qoftë edhe për këto dashuritë e pamundura , se kështu më pëlqen më shumë ti quaj sesa tradhëti, sepse fjala tradhëti është shumë e rëndë.

Suela Bako, aktore, regjisore

Ndërkaq i pyetur se si ndjehet nën petkun e bashkëshortit por dhe të dashurit në këtë shfaqje, Romir Zalla tha me humor se ai i dashnorit është “një rol” që nuk e ka provuar kurrë në jetën reale.

Me thënë të drejtën ka qenë shumë e vështirë për mua që të jem i dashuri sepse unë “i dashur” nuk kam qenë asnjëherë në jetë. Apo dashnor, pra “i dashur” në konceptin ilegal nuk kam qenë asnjëherë në jetë.