Rindërtimi pas tërmetit, Veliaj: Familjet me bonusin e qirasë derisa të marrin çelësin e shtëpisë

27 Shtator 2020, 11:20 | Përditesimi i fundit: 2020-09-27 15:23:10

Këshilli Bashkiak i Tiranës do t’i hapë rrugën procesit të ndërtimit të pallateve të reja, në dy lagjet e reja në kryeqytet, në Kombinat dhe zonën e “5 Majit”, ku do të strehohen të gjitha familjet, shtëpitë e të cilave janë shpallur të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në mbledhjen e radhës, anëtarët e Këshillit Bashkiak do të shqyrtojnë projektvendimin për prishjen e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilat inxhinierët dhe ekspertët e ndërtimit i kanë cilësuar si të parikonstruktueshëm ose që e tejkalojnë vlerën 70% të rikonstruktimit e sipas ligjit, duhet të rindërtohen nga e para.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi sot se me mbylljen e ciklit të kompensimeve dhe të rindërtimit të banesave të dëmtuara gjatë tërmetit të 21 shtatorit 2019, fokusi tashmë është te lagjet e reja dhe rindërtimi i pallateve të tërmetit të 26 nëntorit. “Vendimi ka të bëjë me prishjen e detyruar të ndërtesave pallate, si rezultat i dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ky vendim lidhet me pallatet në Njësinë 6, në zonën e Kombinatit, për të cilin në kemi zhvilluar 8 seanca maratonë, ku çdo pallat është studiuar dhe prezantuar në mënyrë transparente nga inxhinierët, me të gjithë librat e kontrolleve dhe akt-konstatimet e projekteve inxhinerike. Janë prezantuar edhe në komisionet e Këshillit Bashkiak, ku për transparencë maksimale kemi qenë në transmetim live, ndaj ka ardhur koha të marrim një vendim”, u shpreh Veliaj.