Rinis procesi mësimor, Universiteti i Tiranës pas tërmetit hap dyert me 10-dhjetor

6 Dhjetor 2019, 17:55

Procesi mësimor që u ndërpre për shkak të tërmetit të rënë më 26 nëntor, do të rinis javën e ardhshme edhe në dy qarqet më të prekura, atë të Durrësit dhe Tiranës. Ndërkohë të enjten rinisi mësimi në qarkun e Lezhës, ndërsa vetëm në qarkun e Durrësit, bashkinë Kurbin, Vorë dhe Tiranë, sipas ministrisë së Arsimit, mësimi do të nisë më 9 dhjetor, të hënën.

Por nga ana tjetër ditën e sotme Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni me anë të një urdhri të brendshëm ku njofton se procesi mësimor do të fillojë në datë 10 dhjetor. Në këtë urdhër shpjegohet, se vendimi është ndërmarrë pas informacionit nga administrata e UT, mbi sigurinë teknike të ambienteve në të cilat zhvillohet procesi mësimor. Një nga pikat që urdhërohet  është edhe që drejtuesit e njësive kryesore të UT, të bëjnë propozime konkrete për zëvendësimin e ditëve që nuk u zhvillua mësimi për arsye të pasojave të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor.Përsa i përket universiteteve, ministrja Shahini u shpreh se ato janë autonome dhe se kanë bërë verifikimet e tyre. Gazetarja e Report Tv, Doris Sallaku njofton se mësimi në Tiranë nuk do të fillojë vetëm në disa shkolla të cilat janë dëmtuar rëndë nga tërmeti. Konkretisht: Shkolla e mesme e bashkuar '16 shtatori', Shkolla 9-vjeçare 'Pezë e Vogël', Shkolla 9-vjeçare 'Lasgush Poradeci', Gjimnazi 'Myslym Keta', shkolla 9-vjeçare 'Ramazan Jarani', Shkolla 9-vjeçare 'Emin Duraku', Gjimnazi 'Sami Frashëri'. Nxënësit e këtyre shkollave do të transferohen për mësim në shkolla të tjera në varësi të afërsisë. Për sa i përket gjimnazit 'Sami Frashëri' nxënësit do të zhvendosen tek 'Qemal Stafa' dhe 'Sinan Tafaj'. Megjithatë listat e shkollave ku nuk do të fillojë mësimi për shkak të dëmeve nuk është përfundimtare për shkak se inxhinierët ne terren po verifikojnë të gjitha rastet ku mund të paraqitet rrezik për nxënësit.

    No videos found.